logo

Radio Televizioni 4 Plus - pjese e Galactic Group

ARSIM, DIJE

10/08/2017 08:25 Gazetar: MIRANDA SHEHU


Sistemi arsimor në Shqipëri

Nisa këtë shkrim për arsimin në Shqipëri, me theks tek arsimi i lartë, për arsye se ai është “fillimi i fundit” i të gjithë përpjekjeve të të rinjve shqiptarë në rrugën e dijes dhe zhvillimit të aftësive profesionale. Veçanërisht mendova të trajtoj këtë çështje, për shkak të rëndësisë gjithmonë e më të madhe që po merr dhe ndjeshmërisë së lartë që paraqet për opinionin publik. Që nga hapja e shkollës së parë shqipe mbi 100 vjet përpara, sistemi arsimor në Shqipëri ka patur shumë ulje-ngritje, luhatje pafund, periudha më të errëta dhe ringritje të përkohshme të cilat vetëm e kanë dobësuar atë. Pas rënies së komunizmit, luhatjet në sistemin arsimor kanë nisur të kenë dhe ngjyrime politike, që kanë sjellë rënie të mëtejshme. Objektivi janë standardet europiane, por mjafton t’i hedhësh një sy realitetit për të kuptuar që jemi shumë larg. Nuk do kemi arsim të lartë cilësor dhe me standarde të larta për sa kohë ai nuk do jetë objekt i politikave serioze e afatgjata,konkurrencës së tregut, larg ngjyrimeve politike, larg korrupsionit e konfliktit të interesit.Së pari, një nga pasojat që ka sjellë politika e ditës në arsimin e lartë ka qenë masivizimi, i cili nuk ka sjellë cilësi, por përkundrazi ka dobësuar besueshmërinë e sistemit. Kjo strategji, më shumë se sa përmirësimin, duket të ketë patur vetëm qëllime politike dhe ka ardhur si kundërpërgjigje, si alternativë e një krahu politik karshi tjetrit. Sot shumë nga universitetet Shqiptare janë të tejmbushura, studentët dhe pedagogët vërviten nga një sallë në tjetrën dhe shpesh mësimi zhvillohet në kushte të papërshtatshme. Masivizimi sjell gjithashtu probleme dhe në nivelin qelizor, brenda vetë klasës. Teksa një pjesë e studentëve janë të interesuar për mësimin, shumë të tjerë as që duan t’ia dinë, madje shfaqin sjellje që nuk janë të denja për auditorin dhe mjedisin akademik ku ata ndodhen. Në këtë dukuri, pjesë të madhe të fajit ka dhe Matura Shtetërore, ose më saktë, zbatimi që qeveria dhe ministria i bëjnë duke sjellë këtë kampion studentësh në auditore. Në pak fjalë, rritja e numrit të atyre që e ndjekin arsimin e lartë në Shqipëri po bëhet në kurriz të cilësisë së produktit të universiteteve tona.Së dyti, politikat dritëshkurtra dhe të dobëta janë shfaqur me gjithë fuqinë e tyre shkatërruese të studentëve, tek një element thelbësor i arsimit: tekstet. Në gjimnazet apo shkollat e tjera të mesme në mbarë Shqipërinë, cilësia e tekstit është gjëja e fundit që zyrtarëve u shkon mendja të diskutojnë, por një biznes mjaft fitimprurës për ta dhe botuesit pranë tyre. Tekstet ndryshojnë vit pas viti, eksperimentohet me to dhe asnjëherë nuk ndiqet e njëjta linjë apo i njëjti autor. Personalisht mendoj që alterteksti ka qenë një dështim dhe kjo duket në studentët e vitit të parë të universiteteve. Kjo reformë ka prodhuar një diferencë të madhe të nivelit të dijeve mes studentëve dhe një ngërç të vështirë për t’u zgjidhur në arsimimin e mëtejshëm të tyre. Ndërkohë në universitete ndodh krejt e kundërta, nuk ka një shumëllojshmëri tekstesh për të zgjedhur, por mungesë të tyre dhe cilësi të dobët. Shpesh herë studentët detyrohen të punojnë me shënime të pedagogut në rastin më të mirë apo dhe pa orientim fare. Problem i madh i teksteve është edhe teorizmi i tepruar në përmbajtjen e tyre dhe mungesa e lidhjeve me praktikën, gjë që shfaqet dhe në politikat e universitetit për përgatitjen e studentit. “Është e rëndësishme të gjendën mënyra për të afruar më pranë studentët me aktivitetet praktike, prodhuese dhe biznesin”, thotë Ksenija Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri. Në mbyllje të idesë, tekstet janë pika më e dobët e këtij sistemi dhe duhet shumë punë për t’a çuar cilësinë e tyre në nivelet e duhura.Së treti, arsimi i lartë në Shqipëri, universitetet, shpesh janë shndërruar në “çerdhe militantësh politikë” nga emërimet që bën partia në pushtet. Kjo ka sjellë një mosinteresim të theksuar për të investuar në të ardhmen e tyre. Ka ardhur koha që Universitetet tona të bëhen realisht organizma të pavarura ekonomikisht dhe administrativisht për të shmangur këto sjellje të shëmtuara dhe në mënyrë që vetë stafi i universitetit të jetë i pari që të interesohet për suksesin e universitetit. Në një fjalë të vetme: konkurrencë. Universitetet, shtetërore apo private duhet t’i nënshtrohen konkurrencës së lirë, për financime, për studentë dhe investime. Rëndësi të madhe paraqet transparenca në procesin e vlerësimit të jashtëm dhe vetëvlerësimit të universiteteve në mënyrë që studenti të dijë çfarë po zgjedh. Në këtë kontekst, citoj Edlira Gjonin në shkrimin e saj:m “Cilësia duhet ndihmuar nga një kuadër i vërtetë dhe kompetent licensimi, akreditimi dhe inspektimi të vazhdueshëm”. Problem përbën gjithashtu financimi. Nëse privati i ka burimet e siguruara deri në një farë niveli, në shtet është një katrahurë dhe mungesë e theksuar e fondeve. Për ta përmbyllur idenë, do citoja Ervin Demon, drejtor i marrëdhënieve me jashtë në UT, i cili shprehet: “Ne duhet të nisemi nga ajo çka kemi sot dhe pastaj të shikojmë çfarë mund të bëjmë. Sot që ne flasim, financimi publik në arsimin e lartë është vetëm në një zë: pagat. Në momentin që kemi një skemë publike, që ka marrë përsipër të mbështesë financiarisht dhe të paguajë vetëm pagat e pedagogëve dhe çdo gjë tjetër që ndodh brenda universiteteve përballohet vetëm nga të ardhurat dytësore,taksat e studentëve, duhet të kemi shumë kujdes në riorganizimin e financimit”. Dhe pikërisht financimi dhe vetadministrimi janë gur themelet e një sistemi të pavarur Universitar.Në përfundim, mendoj se të shumtë janë faktorët që kanë ndikuar në nivelin që paraqet arsimimi dhe diploma Shqiptare. Çështja është shumë e gjerë dhe diskutimi mund të zgjatet pafund por kryefjala e të gjitha pasojave është ndërhyrja e pamatur dhe në konflikt interesi e politikës së ditës në arsim. Sistemi universitar shqiptar ka nevojë urgjente për pavarësi institucionale, zbatim rigoroz të ligjeve të hartuara për të si dhe “nënshtrim” ndaj konkurrencës së lirë dhe nevojave të tregut.




Emri  
E-Mail    
Komenti  
 

Komente

Lajme te Ngjashme